Friday, July 19, 2013

Fitore e “çmendur”, Kukësi shumë pranë historisë

Përmbysje, gafa dhe gola, kuksianët mundin boshnjakët.

Popoviç dhe portieri i Sarajevos bëhen protagonistët e ndeshjes së mbrëmshme.















Fitore e “çmendur”. Kështu mund të konsiderohet suksesi i djeshëm i Kukësit, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Europës, ndaj Sarajevos.  Gafa, përmbysje, autogola, emocione dhe shumë përplasje. Në fund të një takimi spektakolar, kuksianët fitojnë 3-2 dhe do të vazhdojnë të shpresojnë për të kaluar edhe turin e dytë. Verdikti pas një jave në përballjen e Sarajevës. Përplasje, zemër dhe ringritje. Kukësi, megjithëse pëson dy gola brenda dy minutash, arrin të rikuperojë dhe ruan avantazhin deri në fund. Pakkush prej atyre që kanë ndjekur sfidën e djeshme, kanë menduar se të besuarit e Cungut do të përmbysnin rezultatin, pas dy golave që i demoralizuan shumë shpejt. Por ndoshta, kjo skuadër duke pasur edhe pak fat me vete, është gatuar për të shkruar historinë. Të gjithë atë presin. 
Pjesa e parë 
Cungu hedh në fushë thuajse të njëjtin formacion si në takimet e mëparshme. Mungojnë vetëm Musolli që zëvendësohet nga Karabeci dhe kapiteni Rrahman Hallaçi që, disa orë përpara sfidës, i frikëson të gjithë, pasi sëmuret me temperaturë. Në vend të tij luan Malakarne. Popoviç, i vetëm në sulm, mbështetet fort nga Hoxha e Progni nga krahët. Në dhjetë minutat e para, vendësit ndërtojnë dy aksione, por mungon finalizimi drejt portës mike. Por, në rastin e parë që sulmojnë, boshnjakët rrezikojnë seriozisht. Në minutën e 12-të, pas një krosimi nga e djathta, është Melunoviç në zonë që godet me kokë, por topi përplaset në traversë. Minutat kalojnë dhe loja përqendrohet më shumë në mesfushë. Mjafton një pasim i gjatë diagonal nga mesi i fushës i Alikajt për Hoxhën në të majtë, që është më i shpejtë se mbrojtësi kundërshtar dhe me një goditje të lehtë nxjerr huq edhe gardianin boshnjak, 1-0. Në “Qemal Stafa” nis festa e “çmendur” e kuksianëve. Megjithatë, tetë minuta më pas, miqtë fitojnë një goditje dënimi në të djathtë. Është Haurdiç që kroson në zonë dhe Popoviç i pashqetësuar nga askush shënon çuditërisht me kokë në portën e tij, 1-1. Serbi e përjeton shumë keq dhe shokët e tij mundohen ta ngushëllojnë. Goli i ul shumë moralisht kuksianët, që vetëm një minutë më pas pësojnë edhe golin tjetër. Është një aksion perfekt i miqve. Pas një pasimi në zonë nga e djathta, është fillimisht Suljiç në zonë që godet, por topi devijohet nga portieri Halilaj dhe përfundon në kokën e Todoroviç që nuk e ka të vështirë të shënojë, 1-2. Në stadium pllakos heshtja. Dëgjohen vetëm tifozët miq. Cungu mundohet të karikojë të tijtë, por lojtarët në fushë e kanë të vështirë të organizohen. Megjithatë, në minutën e parë shtesë është Popoviç që shlyen gabimin dhe arrin të shënojë me kokë pas krosimit nga goditja e këndit, 2-2. Festa është e gjitha blu. 
Pjesa e dytë 
Ekipet dalin në fushë me të njëjtat formacione. Kukësi është më kërkues dhe lojtarët duket se e kanë kaluar momentin e vështirë. Progni, Hoxha dhe Allmuça i japin ritëm sulmit vendës. Megjithatë, goli për kuksianët vjen në momentin kur askush nuk e priste. Është minuta e 58-të kur një mbrojtës mik pason mbrapa për te portieri Bandoviç dhe ky i fundit fillimisht shmang bukur Progni. Por, kur del jashtë zonës, e lëshon më tepër seç duhet topin dhe Allmuça që gjendet aty pranë, përfiton dhe me portën e boshatisur arrin të shënojë, 3-2. Lojtarët në fushë dhe tifozët në shkallët e stadiumit janë në delir. Gjicin në tribunë nuk e mban më vendi. Me kalimin e minutave, miqtë përpiqen të shënojnë dhe provojnë në 2-3 raste me gjuajtje nga jashtë zone, por ato nuk kanë rrezikshmërinë e duhur dhe priten lehtësisht nga Halili. Në minutat e fundit, Progni shpërdoron një rast shumë të pastër për të shënuar golin e katërt. Megjithatë, Kukësi e ruan avantazhin deri në fund.

KUKËSI-SARAJEVO    3-2
Golat: 
Hoxha 24’, Popoviç 45+1, Allmuça 58’/ 
Popoviç 32’(a), Todoroviç 33’ 

Kukësi: Halili, Brahja, Malakarne, Peqini, Malota, Progni, Allmuça, Karabeci, Hoxha (Manuka 78’), Alikaj (Mziu 90+2’), Popoviç (Malindi 76’). 
Trajner: A.Cungu  

Sarajevo: Bandoviç, Tatomiroviç, Tadejeviç, Dupovac, Haurdiç, Xhakmiç, Cimirot, Suljiç, Todoroviç (Sunjevariç 72’), Melunoviç, Raduloviç (Kariç 81’).
Trajner: H.Musemiç

Kartonë të verdhë: Peqini 50’/ Tadejeviç 88’, Suljiç 90’, Melunoviç 90+3’ 

Gjyqtarë: A.Jakotet, R.Zeder, S.Almeida (Zvicër)  

Kapiteni Allmuça: Golin për dy djemtë e mi 
Kapiteni dhe autori i golit të fitores, Igli Allmuça, tregon gëzimin e tij për fitoren, si dhe për objektivat që skuadra veriore ka. Ndërsa për golin, ai si besimtar mysliman falënderon Zotin, si dhe ua dedikon djemve të tij këtë gol që solli fitoren e parë të veriorëve. “Jam shumë i gëzuar për këtë fitore. E filluam mjaft mirë lojën me gol, por pësuam dy gola aksidental. Por, në këtë takim ne treguam më së shumti se kemi forcë karakteri duke e kthyer ndeshjen. Karakterin ne e kemi treguar jo vetëm sot, por përgjatë gjithë sezonit. Kjo skuadër do të mbetet e admiruar për këdo, edhe për qytetin e Kukësit kjo do të mbetet e paharruar për gjithçka kemi bërë këtë vit. Mendoj që në ndeshjen e radhës do të jemi të barabartë në fushë, pra gjithçka është 50 me 50.”,- tha Allmuça. 

Trajneri Cungu: Besoj te kualifikimi  
Kukësi arrin fitoren e parë në kompeticionet europiane dhe këtë e bën përpara 7000 tifozëve të tij në “Qemal Stafa”. Tekniku Cungu ka një meritë të madhe për këtë arritje, aq sa nuk përmbahet, por del menjëherë në fushë të festojë me lojtarët për këtë fitore. Për median, shkodrani që ka arritur të shkruajë historinë me ekipin verior, thotë: “Kjo fitore ishte plotësisht e merituar. Luajtëm fort dhe arritëm të fitonim në fushën tonë. Kjo është fitorja e parë e Kukësit në këtë kompeticion, por besoj se do ta vazhdojmë edhe në ndeshjen e radhës. Skuadra e Sarajevos është cilësore dhe që bën lojë të fortë. Por, në 90 minuta, ne ditëm të administrojmë lojën. Për ndeshjen e radhës, ne duhet të bëjmë një sforco të madhe atje dhe të shpresojmë se do të jemi ne të kualifikuarit. ”.

No comments:

Post a Comment