Saturday, August 3, 2013

Luana shndërrohet në këngëtare: S'ishte ëndrra ime, por e...

Luana Vjollca, bukuroshja e televizioneve shqiptare, rrëfen në këtë intervistë risinë që pritet të sjellë shumë shpejt. E bashkë me të, edhe disa copëza nga jeta private e profesionale. Biondja seksi, veç angazhimeve që ka rrezik ta lënë pa pushime, rrëfehu gjatë bisedës me ne edhe marrëdhënien që ka krijuar me famën, duke shprehur mes rreshtash keqardhjen që ka për personazhet e varura ndaj saj... Po le të lexojmë bashkë për më shumë intervistën e gjatë të moderatores, që s'ka asnjë peng në karrierë, e të shijojmë njëherësh me të, fotot provokuese të yllit të ekraneve...











Luana, si ka nisur kjo verë për ty?
Verë shumë impenjative, ndryshe nga çdo verë tjetër e imja; por është një punë e madhe e cila po më sjell si 'feedback' një kënaqësi po kaq të madhe, ndaj këtë verë do e veçoja si një nga të preferuarat e mia.
Të shohim në krye të "Summer Fest"-it, një projekti shumë impenjativ... Lodhje, argëtim, çfarë është kjo eksperiencë për ty?
"Summer Fest"-i është një eksperiencë, të cilën nuk po ngopem duke e shijuar, sepse, që në përballjen e parë me publikun e shesheve, kuptova dashurinë e madhe që ata kanë për ne... Kjo është pjesa më e bukur e këtij projekti, i cili po korr sukses e po kënaq verën e çdo shqiptari. S'mund ta mohoj që në një punë të tillë, madhështore, të shoqëron edhe lodhja, por ajo nuk ka të krahasuar me kënaqësinë që të jep në çdo finalizim të puntatave, publiku i qyteteve ku kemi ndalur deri tani.
Çfarë ke zbuluar të re në qytetet që keni vizituar?
Shumë gjëra! Kemi ndalur për ta shijuar dhe për ta studiuar çdo qytet. Në Durrës kam shëtitur shumë, por do veçoja rrugicat e amfiteatrit. Në Pogradec, liqeni dhe qetësia që mbizotëronte ishin një binom i mrekullueshëm, përfshi këtu edhe publikun, sepse ishte më të vërtetë i paparë. Më kanë lënë pa fjalë dhe mezi po pres të kthehem sërish atje (buzëqesh). Çdo qytet më ka dhënë diçka të re. Kemi ende deri në përfundim të kësaj eksperience fantastike për mua, e cila po më jep aq shumë sa i jap, ndaj them me plot gojën që, puna e madhe po më shpërblehet.
Ka pasur ndonjë qytet që e vizitoje për herë të parë?
Po, në Korçë vetëm kisha kaluar, po s'kisha ndaluar ndonjëherë. Qëndrova 2 ditë atje dhe u njoha me atë qytet, nga ku do kujtoj lakrorin që s'e ndava në ato 48 orë.
Qëndrojmë tek "Summer Fest" dhe flasim pak për Arditin; si është ai si partner?
Kur ke një bashkëprezantues në krah, ka shumë rëndësi marrëdhënia që krijon me të, sepse në bazë të saj krijohet fryti i punës. Tek Arditi do veçoja faktin që më krijon rehati, dhe kjo është shumë e rëndësishme mes 2 kolegëve. Pastaj na shkojnë shumë dhe batutat e kjo e bën edhe më të bukur bashkëpunimin në skenë.
Ndërkohë, pushimet kur do t'i marrësh?
Vetëm për këtë pjesë nuk kam menduar ende, sepse "Summer Fest" vazhdon deri më 17 gusht, e cila është data e fundit, në Ulqin. Më tej më shoqëron "Formula" dhe "Moti", ndaj akoma s'kam planifikuar asgjë, por nuk besoj se do rezistoj pa e vizituar edhe këtë verë jugun tonë të mrekullueshëm (qesh).
Me kë do t'i kalosh?
Të mendoj kur dhe ku njëherë, pastaj të të them me kë, si thua? (qesh) Pa pa pa sa doni të dini! Nëse do gjej pak ditë pushimi, pa diskutim me familjen time.
Jeta private si shkon?
Top!
Pritet që shumë shpejt të publikosh këngën tënde të parë, kompozuar nga Elgit Doda. Si të lindi ideja?
Shumë natyrshëm! Nata finale e "Top Fest"-it më surprizoi dhe mua, nëse mund ta them kështu, duke më realizuar një dëshirë që e kisha prej kohësh. Ishte diçka e punuar shpejt për atë natë, megjithatë publiku e priti shumë mirë dhe na nxiti ta sjellim të plotë. Bashkëpunimin me Elgitin do e cilësoja si një eksperiencë shumë të bukur; është pa diskutim një artist shumë i talentuar.
Çfarë pret nga kjo këngë?
Pres vetëm ta shijojmë të gjithë, sepse është një këngë e bërë me shumë dashuri e me shumë përkushtim. Jam e bindur që shumë do e gjejnë veten në tekstin e saj, ndaj një nga këto ditë, publikohet për qejfin tim dhe të të gjithë atyre që e presin.
Do ketë videoklip?
Jo, s'është menduar kështu. Është një dëshirë e imja dhe kryesisht një dëshirë e familjes sime, një ëndërr e mamit tim, të cilën po e realizoj më së fundi, ndaj s'kam menduar për detaje të tilla, edhe pse janë të domosdoshme. Kam preferuar vetëm ta lançoj e ta dëgjojnë ata që e pëlqejnë.
Dëshiron të vazhdosh me muzikën, apo do ta lësh me kaq?
Unë dëshiroj të vazhdoj me gjithçka që publiku im e do dhe e kërkon. Kjo është ajo çfarë vërtet ndjej, por s'e kam menduar këtë pjesë, ama kurrë s'duhet të thuhet "kurrë" për asgjë.
Cila është marrëdhënia që ke me famën?
Mundohem sa më pak t'ia vë në dukje vetes këtë pjesë, automatikisht dhe të tjerëve. Më beso, jam e bindur që gjëja më e keqe që mund t'i ndodhë një njeriu është të varet nga fama e të jetojë për të. Shoh çdo ditë njerëz të tillë dhe pa dashur të gjykoj, më vjen gjynah!
Çfarë të mungon nga koha kur nuk ishe një vajzë ekrani?
Mundohem ta bëj jetën njëlloj; përpiqem të jetoj sa më qetë e sa më pastër, edhe pse më pengon shumë herë vëmendja e tepruar ose cenimi i madh i jetës private, që gazetat ia lejojnë vetes nga pozicioni që kam tashmë, por përsëri mundohem shumë të kem një jetë larg të tjerëve, duke dashur kështu ta mbroj fort atë që është e imja.
E mendon ndonjëherë ta lësh fare këtë punë?
Jo, sepse kam kufijtë e mi dhe s'do lejoj asnjëherë që të shkelen. Përndryshe, për sa kohë të kem për të dhënë e për sa kohë të kem njerëz që më duan në ekran, aty do jem.
Në gjithë këto vite në televizion, a ka një program që të ka mbetur peng për ta prezantuar?
Mos do të thoshe të kundërtën? Kam kaluar shumë formate televizive, ndonjëherë edhe jashtë parashikimeve të mia, ndaj s'kam një të tillë. Jam e lumtur që, edhe pse në një moshë të re, arrita të fitoj eksperiencën e duhur në kohë, dhe me shumë punë, vullnet e ambicie të madhe, të kaloja çdo eksperiencë televizive me sukses. Sot, ndjej që kam fituar shumë, kam dhënë shumë dhe kam mësuar shumë, e sërish në të tria këto ka po prapë shumë, kështu që dua ta shijoj.

No comments:

Post a Comment